Energjia e Rinovueshme dhe Shqipëria – Analizë e
Përgjithshme

Libri synon të japin një panoramë të plotë ligjore
ndërkombëtare dhe kombëtare mbi sektorin energjetik, konkretisht energjinë e
rinovueshme. Trajtimi i aspektit ligjor të këtij sektori, synon në thelb
informimin në shërbim të ndërveprimit më të efektshëm ndërmjet sektorit publik
dhe atij privat.

Libri pasqyron përkufizimin se çfarë është energjia e rinovueshme, nga
cilat burime prodhohet ajo, duke u thelluar në rëndësinë që ajo zë në politikat
botërore të energjisë. Njëkohësisht, i vihet theksi dhe ndryshimit të
pashmangshëm të fizionomisë së ekonomisë botërore, në funksion të menaxhimit të
pamjaftueshmërisë së burimeve energjetike dhe nevojës për të mos shkaktuar
pasoja të padëshiruara në klimë. Trajtimi i zhvillimit kronologjik të
përpjekjeve për ndërtimin e kornizave të përshtatshme ligjore ndërkombëtare,
për mbajtjen nën kontroll të ndryshimeve klimaterike, si dhe gërshetimin e
kësaj përpjekje me ndërtime politikash energjetike, për një zhvendosje drejtë
“energjisë jeshile”, shfaq në përmasa alarmante, kërkesën në rritje për
energji, si për vendet e zhvilluara ashtu dhe për ato në zhvillim.

Kreu mbi Shqipërinë, është i ndarë në dy drejtime; potenciali energjetik i
vendit tonë dhe korniza ligjore që mundëson zhvillimin dhe shfrytëzimin e këtij
potenciali energjetik. Një pjesë të rëndësishme të analizës e zë anëtarësimi i
vendit tonë në Komunitetin e Energjisë. Shpjegohet gjithashtu, se në ç’masë i
ka përmbushur Shqipëria angazhimet e ndërmarra në kuadër të Traktatit dhe cilët
janë faktoret që kanë penguar përmbushjen e reformave ligjore. Njëkohësisht,
është synuar të trajtohet nën një aspekt praktik, modeli i kontratës
koncesionare të tipit BOT (Eng: Build-Operate-Transfer/Ndërto-Puno-Transfero).

Duke qenë se bota ndodhet në një fazë delikate, spostimi drejtë energjisë
së rinovueshme duhet të shkojë në kahe vektorialisht të njëjta, qoftë me
zhvillimin e qëndrueshëm të shteteve, ashtu dhe me kërkesat dhe nevojat në
rritje për ushqim të popullsisë botërore. Vendi ynë duhet të jetë i përgatitur
për veprime konkrete.

Ky libër është i përshtatshëm për ekspertët e fushës por dhe për studiues
të rinj, që kërkojnë të marrin informacion të përgjithshëm mbi mënyrën sesi
ndërvepron ligjërisht tregu energjetik në vendin tonë.

Ky punim gjendet në bibliotekën kombëtare dhe libraritë e qytetit.

Plejad, 2012

Autore: Dorina DAJA; Recensues: Kujtim PROSEKU