Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)
njoftoi se ka finalizuar garën për blerjen e energjisë për muajin tetor, ku u
blenë 133,920 MWh ose 180 MWh ne profilin bande të cilat kushtuan më shumë se
5.5 milionë euro.

Te katër kompanitë që janë përzgjedhur për të negociuar
sasitë shihet se te pjesëmarrësit e mëdhenj në garë EFT, GSA dhe NOA, që ofruan
98% të energjisë që kërkoi OSHEE, ofruan çmime të njëjtë me 41.6 euro për MW.

Ky është tenderi i dytë që OSHEE shuan gati plotësisht
hendekun e çmimeve me bursën e Hungarisë e cila merret si referencë. Çmimet në fashat bazë në Bursën e Hungarisë
janë aktualisht mbi 39 euro për MW.

Siç shihet nga të dhënat e garës, pjesëmarrëse në tender
është edhe shoqëria ‘Devoll Hydropower’, e cila pak ditë më parë ka zyrtarizuar
prodhimin në HEC-in e Banjës.

OSHEE sqaron se shoqërisë ‘Devoll Hydropower’ nuk iu pranua
sasia prej 15 MW në profilin band për shkak të plotësimit të sasisë së kërkuar.

Kompania publike e shpërndarjes së energjisë, OSHEE, pritet
që shumë shpejt të çlirohet nga detyrimi për të furnizuar konsumatorët e
mëdhenj me energji elektrike. Pasi deri në fillim të vitit që vjen duhet të
furnizohen në tregun e lirë të energjisë mbi 6200 biznese konsumatorë nga
rrjeti 35 dhe 20 kilovolt i energjisë.

Operatori i Shpërndarjes shpenzoi për importet e energjisë
88 milionë euro gjatë 2015.

Vlera mujore e importit ishte 7 milionë euro. Shpenzimet më
të larta për importe u shënuan në muajt janar dhe shkurt, përkatësisht me 11.6
dhe 10.1 milionë euro, ndërsa vlerat më të ulëta në muajt maj dhe qershor
respektivisht, me 3.8 dhe 4.7 milionë euro.

Modeli aktual i tregut të energjisë e detyron OSHEE të
importojë nga jashtë energji për të mbuluar humbjet e energjisë në rrjet. Por
duke qenë se niveli i tyre është reduktuar ndjeshëm, kjo ka sjellë edhe uljen e
shpenzimeve të OSHEE për import.